Thursday, October 17, 2013

Raporti i Progresit, pasqyrë e problemeve apo e arritjeve?

Raporti i Progresit, pasqyrë e problemeve apo e arritjeve?

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën, i këtij viti, do të interpretohet në mënyra të ndryshme, si nga Qeveria e Kosovës ashtu edhe nga opozita, kanë theksuar analistët për Telegrafin.

Publicisti Augustin Palokaj, ka deklaruar për Telegrafin se secili ka të drejtë që ta lexojë Raportin e Progresit si të dojë, mirëpo “mediat duhet ta lexojnë raportin në mënyrë neutrale”.
“Mos të kapen vetëm në atë se kanë filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), apo për viza, e ta harrojnë përmbajtjen”, tha Palokaj duke shtuar se duhet të flitet edhe për dukuritë negative për të cilat flet raporti.
“Raporti i Progresit tashmë është bërë publik dhe secili mund ta japë opinionin e vet. Qeveria në vlerësimin e saj raportin e ka vlerësuar si pozitiv, e në anën tjetër opozita ka theksuar se Raporti i Progresit tregon se Kosova ka stagnuar në ecjen përpara. Është problem të quhet Raport i Progresit, sepse këtë vit konfirmon se ka ndërhyrje politike në gjyqësor, në media, se ka korrupsion dhe krim të organizuar në nivel aq të lartë. Një raport i tillë të quhet real është në rregull, ndërsa të quhet pozitiv është ekzagjerim”, ka theksuar Palokaj.
Në anën tjetër, Shenoll Muharremi ka theksuar për Telegrafin se Kosova si shtet i ri, duhet të merret me adresimin e mangësive të cilat janë theksuar në Raport.
Sipas tij, Raporti i Progresit sqaron arritjet që janë bërë rreth MSA-së, kornizave legjislative dhe strategjike në disa sektorë, duke shtuar se në Raport është vlerësuar puna e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
“Raporti gjithashtu ilustron problemet kronike në ekonomi, në punësim, në drejtësi dhe në reformat evropiane. Ekzekutivi kosovar duhet gjithsesi të mësojë nga vlerësimi i këtij viti. Nuk mund të vazhdojmë ta kemi problem jetik sundimin e ligjit, ndërsa investimet në gjyqësor të jenë më pak se 0.5 përqindëshi i Bruto Produktit Vendor. Nuk mund të vazhdojmë të ndërtojmë autostrada thuajse e kemi buxhetin e Gjermanisë, duke i lënë sektorët tjerë në mëshirë të Zotit. Nga janari i viti 2014, të gjitha vendet e rajonit do jenë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova duhet të fokusohet në reforma dhe të përshpejtojë zbatimin e kushteve të përcaktuara nga BE-ja, në mënyrë që të zë hapin me fqinjët e saj dhe të mos mbetet një ishull në mes të Ballkanit”, ka thënë Muharremi.

0 comments:

Post a Comment